Muajt e verës kanë sjellë turistë të shumtë në qytetin e Shkodrës dhe kjo është reflektuar edhe në shifrat në rritje sa i përket vizitave në sitet arkeologjike apo edhe në pikat turistike të qytetit.
Megjithatë trendi në rritje i ardhjes së turistëve po vijon edhe përgjatë ditëve të muajit aktual, shtatorit ku duket se rezervimet në disa prej strukturave akomoduese të qytetit janë të plotësuara.
Përveç përmirësimeve në shërbime dhe infrastrukturë, një ndikim pozitiv në rritjen e numrit të turistëve ka patur edhe promovimi i vendit në disa nga mediat më të njohura ndërkombëtare.
Në ndryshim nga vitet e kaluara duket se këtë vit turistët po preferojnë të kalojnë një kohë më të gjatë qëndrimi në qytet.
“Vij nga Anglia dhe kam zgjedhur të bëj pushimet e mija në Shqipëri. Mendoj se kam bërë një zgjedhje të mirë dhe qyteti më duket shumë i bukur, gjithashtu edhe klima shumë e mirë. Do të qëndroj 5 ditë këtu.” – shprehet një turist britanik.
Përveç historisë dhe kulturës Shkodra është një qytet që i ofron turistëve edhe bukuri të pafundme natyrore si: liqenin, malin dhe detin.
