Skena e teatrit “Migjeni” bëri bashkë publikun e pranishëm në të së bashku me artistin e ftuar, pianistin gjerman Florian Weber si pjesë e edicionit të tretë të “Ritual Piano Improvisation Festival” në të cilin protagonisti i mbrëmjes improvizoi për të pranishmit pjesë të ndryshme në piano.

Për ideuesin e festivalit Robert Bisha, ky eveniment ka hyrë në rrugën e traditës dhe ai do të vijojë të mbahet edhe përtej vështirësive financiare.

Për pianistin Florian Weber kjo mbrëmje para publikut shqiptar i jep ndjesi pozitive.

“As unë nuk e di saktësisht se çfarë do të luaj sonte sepse e gjitha do të bazohet tek improvizimi dhe këtu qëndron bukuria e këtij festivali. Për mua dhe publikun shpresoj të jetë një mbrëmje e bukur. Këtu do të ketë pjesë që nuk janë dëgjuar kurrë më parë dhe do të jetë një muzikë e re për të gjithë. Më pëlqen ambienti ku do të performoj dhe salla. E kam mirëpritur këtë ftesë dhe Shkodra është një qytet i bukur me njerëz të mirë dhe shumë atmosferë.” – u shpreh protagonisti i mbrëmjes.

Edicioni i tretë i “Ritual Piano Improvisation Festival” do të vijojë edhe në datën 8 shtator ku i ftuar do të jetë pianisti Fabrizio Ottaviucci po në teatrin “Migjeni”.