Tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e shteteve të ndryshme të botës kanë ardhur në vendin tonë si pjesë e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës teksa kjo nisëm e Ministrisë së Kulturës ka mbërritur në edicionin e dytë të saj. Ato nisën në muajin maj ku e para që e e çeli ishte ajo e Bashkimit Europian me një seri aktivitetesh që zgjatën për gati një javë ndërsa javët kulturore vijuan me Greqinë dhe Italinë.
Më 14 qershor vendi ynë do të kremtonte Javën Kulturore të Hollandës ndërsa pas saj do të vinin Franca dhe Spanja. E fundit që u kremtua ishte ajo e Malit të Zi nga data 10 deri më 14 korrik ku një seri aktivitetesh u zhvilluan në disa nga qytetet kryesore të vendit ku shumë prej tyre u organizuan edhe në Shkodër. Përgjatë muajit gusht pati një ndërprerje të javëve ndërkombëtare të kulturës ndërsa duke nisur nga dita e sotme ato rikthehen sërish.
E para që e starton pas pushimit veror është Java Kulturore e Azerbajxhanit e cila do të zgjasë deri më 3 shtator ndërsa pas saj vendi ynë do të mirëpresë javën britanike. Sipas kalendarit nga data 11 deri më 17 shtator do të festohet java e kulturës turke ndërsa më pas do të jenë Egjipti dhe Kina pjesë e manifestimeve kulturore.
Në muajin tetor JKN do të vijojnë me Gjermaninë, SHBA-në, Japoninë, Kombet e Bashkuara dhe do të mbyllen me Austrinë ndërsa edicioni i dytë i javëve të kulturës do të përmbyllet në nëntor me Hungarinë, Izraelin dhe Kosovën. Edhe në pjesën e dytë të këtyre javëve do të zhvillohen aktivitete të larmishme në të gjithë vendin ku një pjesë e tyre padyshim edhe në Shkodër.
