13 vajza u bënë pjesë e kompeticionit të bukurisë “Miss Xhubleta” ku kjo veshje ishte “kryefjala” e mbrëmjes. E realizuar në kuadër të vitit të xhubletës, ky eveniment tërhoqi interesin e publikut të pranishëm teksa vajzat konkuruan me kostumin madhështor të maleve tona.
E veçantë ishte pjesëmarrja në këtë kompeticion për Rumina Ivezaj, vajzën që kishte veshur xhubletën 120-vjeçare të stërgjyshes së saj.
Xhubleta si veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë përfshirë edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi. Ajo përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Xhubleta sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare.
