Një tjetër natë të bukur dhuroi “Shkodra Jazz Festival” për publikun e pranishëm në sheshin para bashkisë teksa i ftuar ishte grupi nga Rumania “Popfolklorica” ku kënduan disa nga këngët e repertorit të tyre muzikor.
Ovi Jacobsen, vokalisti i grupit ka një karrierë të pasur me pjesëmarrje në disa nga kompeticionet më të rëndësishme muzikore, mes të cilave dy herë pjesë e “Eurovision Song Contest” në vitet 2010 dhe 2014 si përfaqësues i Rumanisë.
Ai thotë se ndodhet në “Shkodra Jazz Festival” për t’i prezantuar publikut disa nga materialet më të mira të grupit, të lidhura me këngët tradicionale rumune.
“Është hera e dytë që ndodhem në vendin tuaj dhe kësaj here duke qenë pjesë e një grupi muzikor, të cilin e kemi quajtur “Popfolklorica”. Grupi ka si synim të gërshetojë stilin pop me muzikën tradicionale rumune. Kemi fatin të prezantojmë disa nga materialet më të mira muzikore në “Shkodra Jazz Festival”.” – thotë ai.
Më tej vokalisti rumun shprehet i kënaqur me kohën që po kalon në Shkodër.
“Në Shkodër po ndihemi vërtetë shumë mirë ndonëse temperaturat këtu janë shumë të larta. Më ka pëlqyer zona muzeale e qytetit si dhe kam vajtur dy herë në plazh këto ditë që gjendem këtu. Kam dëgjuar që ky qytet bart shumë kulturë në Shqipëri dhe jemi të lumtur që gjendemi këtu.” – thotë vokalisti Jacobsen.
Koncertet e “Shkodra Jazz Festival” në sheshin para bashkisë do të vijojnë me artistë të tjerë edhe përgjatë fundjavës.
