“Varg Festival” vijon rrugëtimin e tij në disa nga qytetet kryesore të vendit. Pas Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Pogradecit, fryma e tij poetike u ndal në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës ku në hyrje të tij ishin të ekspozuara fotografitë e disa prej personaliteteve të letërsisë sonë të realizuara vite më parë nga fotografi Roland Tasho.
Synimi i festivalit është ta bëjë letërsinë vendase pjesë të diskutimeve rajonale, thotë drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli.
Nën praninë e dashamirësve të librit, në këtë pasdite autoriale ishin të ftuar poetja shkodrane Ledia Dushi si dhe poeti serb Petar Matoviç, të cilët i dhanë zë disa prej vargjeve poetike.
“Varg Festival” vjen si nismë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit duke u bërë një nga stacionet e aktiviteteve të Ministrisë së Kulturës “KultArt 2023” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
