Në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, DRTK Shkodër ka ndërmarrë nismën për çeljen e një konkursi fotografie të titulluar “Duar’ Art”. Ky konkurs synon të sjell në vëmendje profile dhe histori të paekspozuara artizanësh të Shkodrës dhe përtej të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e qytetit.
Tematikat e këtij konkursi kanë të bëjnë me histori familjare të dijebërjes që artizanë të qytetit kanë trashëguar ndër vite, fotografi që shfaqin aftësi të traditës së punës me dorë që janë vazhduese të teknikave të brezave të mëparshëm. “Ngjyrat e Artizanatit” është një tjetër kategori e këtij konkursi që ka të bëjë me përdorimin e ngjyrave të ndryshme në krijimtarinë artizanale, që ndikojnë në ndjesitë dhe tregimin e historive përmes objekteve.
Fotografitë që përqendrohen në detajet e punëve artizanale, si modelime, qëndisje dhe ngjyra janë pjesë e kategorisë së Detajeve Artizanale për të vijuar më pas me një tjetër kategori që është ajo e “Evolucionit të Teknikave” e cila përfshin fotografi të një objekti artizanal: një e krijuar me teknika të vjetra dhe tjetra me teknika të reja.
Pjesë e këtij konkursi pritet të jenë edhe fotografitë që ndërlidhin artizanatin me teknologjinë dhe dizajnin bashkëkohor që vijnë përmes kategorisë së Artizanatit Modern. Nuk lihen pas as fotografitë që tregojnë historitë që qëndrojnë pas objekteve artizanale apo ato të lidhjes së punës artizanale me kulturën, zakonet dhe identitetin e qytetit. DRTK Shkodër, do të bëjë përzgjedhjen e fotografive që do të ekspozohen në një mbrëmje të veçantë dedikuar artizanatit në bashkëpunim me Galerinë “Oda” në datën 17 shtator.
