Renato dhe Donati vijnë nga qyteti i Prizrenit. Pasioni i tyre i madh për muzikën e në mënyrë të veçantë instrumentin e fizarmonikës, i ka sjellë ata prej dy javësh në Shkodër duke u bërë pjesë e edicionit të XIV të “Shkodra Jazz Festival”.

Shkodra po i pëlqen si qytet por edhe po i rrit ata në aspektin profesional.

Çdo vit “Shkodra Jazz Festival” bën bashkë të rinj nga shtete të ndryshme të Ballkanit por profesori i fizarmonikës, maestro Bardh Jakova thotë se asnjëherë muzika nuk ngatërrohet me politikën.

Përgjatë ditëve të festivalit, të rinjtë pjesëmarrës marrin leksione intensive sa i përket muzikës jazz dhe asaj klasike nën drejtimin e profesionistëve të fushës.