Legjenda e muzikës italiane, këngëtari dhe kompozitori i famshëm, Toto Cutugno, ka ndërruar jetë. Këngëtari, autor i disa prej këngëve më të njohura në historinë e muzikës italiane, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Siç raporton Ansa, këngëtari është shuar të martën në orën 16:00. Cutugno ishte shtruar në spitalin San Raffaele në Milano. Ka qenë menaxheri i tij artistik, Danilo Mancuso, i cili ka dhënë lajmin për agjencinë, duke shpjeguar se Cutugno vdiq “pas një sëmundje të gjatë, dhe se shëndeti i këngëtarit ishte përkeqësuar muajt e fundit”.
Toto Cutugno, është pseudonimi artistik i emrit Salvatore Cutugno. Ai ishte këngëtar, kompozitor, tekstshkrues dhe prezantues televiziv italian. Me mbi 100 milionë kopje disqesh të shitura, vlerësohet të jetë një ndër artistët muzikorë italianë më të suksesshëm.
Ai arriti majat e top-listave, si interpretues i këngëve të tij, ashtu edhe si producent dhe autor këngësh për të tjerët, veçanërisht për Adriano Celentanon, në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë.
Ai mori pjesë si solist, duet ose së bashku me një grup, në 15 edicione të Festivalit të Sanremos, duke e fituar një herë në vitin 1980 me Solo noi, gjashtë herë doli në vend të dytë, një herë në atë të tretin dhe dy herë në të katërtin. Ai fitoi tre vende të para edhe me disa këngë të shkruara prej tij për artistë të tjerë.
Në vitin 1990 ai fitoi Eurovision Song Contest me këngën Insieme: 1992 , i dyti nga tre artistët italianë që e bëri këtë, pas Gigliola Cinquetti në 1964 dhe para Måneskin në 2021.
Ai është një nga 5 artistët që mban rekordin e pjesëmarrjes në Festivalin e Sanremos (4 të tjerët janë Al Bano, Peppino di Capri, Milva dhe Anna Oxa).
