Ka ndërruar jetë një prej personaliteteve të shquara të vendit me një kontribut të shquar në fushën akademike Bahri Beci, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kryesia e Akademisë së Shkencave të vendit tonë bëri të ditur përmes njoftimit miqtë dhe kolegët e tij të shumtë për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Beci, këtij personaliteti me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.
Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.
Më pas ai do të dërgohej për specializim në Paris, ku do të mbronte doktoratën me temë “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”.
Me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës”.
Bahri Beci ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që prej vitit 2008.
Vepra shkencore e Bahri Becit u karakterizua nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proçes formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.
Homazhet e lamtumirës për akademikun Bahri Beci do të bëhen mëngjesin e ditës së martë në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave.
