Përgatitjet dyjavore të masterclass-ave të festivalit të muzikës jazz kulmuan me koncertet e zhvilluara në mjedisin e jashtëm të Muzeut Historik të Shkodrës.

“Rrok Academy Junior” dhe “Rrok Academy Classic” dhuruan për spektatorët e pranishëm tinguj nga veprat e kompozitorëve më të mëdhenj botëror nën drejtimin e mjeshtrave Brixhilda Martini dhe Paçalin Pavaci.

Bibiana nga Kolumbia dhe Karla nga Rumania vlerësojnë si një përvojë të shkëlqyer pjesëmarrjen në këtë festival dhe qëndrimin në Shkodër.

“Vij nga Bogota, kryeqyteti i Kolumbisë. Kam filluar të udhëtoj që nga periudha e pandemisë në vende të ndryshme dhe një nga stacionet ishte edhe Shqipëria ku këtu njoha njerëz shumë të mirë të cilët u kthyen në miqtë e mi më të mirë. Ky festival është një organizim i shkëlqyer dhe kam patur fatin të njoh nga afër mjeshtrin Paçalin Pavaci. Vërej që ka shumë talente që mblidhen në Shkodër dhe kjo për mua është një eksperiencë që do të më vlejë shumë në të ardhmen.” – shprehet instrumentistja nga Kolumbia.

“Vij nga Rumania dhe marr pjesë në festivalin e jazz-it menjëherë pas pjesëmarrjes që pata në një tjetër festival në Sibiu. Profesori që na ka përgatitur këtu është treguar vërtetë shumë i dashur me ne dhe dinte shumë për vendin tim dhe instrumentin që ushtroj që është nga më të veçantët.” – shprehet instrumentistja nga Rumania.

Edhe organizatorët vlerësojnë angazhimin e të rinjve në këtë festival.

Pas përfundimit të koncertit, instrumentistët u nderuan me Çertifikata Mirënjohje ndërsa atmosfera e muzikës jazz vijoi në një nga baret e qytetit nën drejtimin e maestro Markelian Kapidanit deri në mesnatë.