Ulqini, qyteti i bukur në Malin e Zi po i josh pushuesit e tij jo vetëm me detin por edhe me librin. Edhe kësaj here, tradita e lindur këtu e 23 vite më parë, e panairit të librit vijoi misionin e tij. Megjithatë ky është edicioni i 22-të i tij pasi për shkak të pandemisë Covid-19, ai u ndërpre një vit.

Panairi i librit në Ulqin mblodhi së bashku rreth 40 shtëpi botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina duke i dhuruar dashamirësve të librit tituj të shumtë dhe cilësi.

Kjo “festë e librit” shihet nga organizatorët si një mundësi e mirë për të afruar lexuesin me të dhe jo vetëm.

Kopertinat dhe titujt tërheqës të librave në panair kanë marrë vëmendjen e pushuesve, të cilët janë vënë në kërkim të autorëve të tyre të preferuar në stendat që gjenden aty.

Rëndësia e një organizimi të tillë në një qytet si Ulqini është e madhe për shumë aspekte.

Tashmë që panairi ka vite që mbahet, përgjegjësia për organizimin e tij sa vjen e shtohet por në jo pak raste ndeshet me vështirësi të karaktereve të ndryshme por deri më tani duket se asnjë pengesë nuk e ka ndalur atë.

Shkrimtarë e përkthyes janë bërë pjesë e këtij edicioni të 22-të të panairit.

Vite më parë kur panairi nisi të mbahej në Ulqin, ky qytet nuk kishte asnjë librari të vetme ndërsa sot jo vetëm që ajo ekziston por shërben edhe si një pikë e rëndësishme e mbajtjes së aktiviteteve letrare ku takohen dashamirës të librit dhe autorë e përkthyes duke diskutuar rreth titujve të rinj ku edhe në këtë edicion nuk munguan.

Për shqiptarët në Malin e Zi ky panair ka karakter përbashkues sepse bën bashkë shtëpi botuese nga të gjitha trevat shqiptare dhe në mënyrë të drejtpërdrejt ka rritur numrin e botimeve në gjuhën shqipe në Ulqin.

Takimet letrare sollën në këtë edicion shkrimtarë dhe përkthyes të ndryshëm në kontaktin e tyre të drejtpërdrejtë me lexuesin.

Edhe në këtë edicion juria dha vlerësimet e saj me ndarjen e çmimeve për autorët dhe librat më të mirë të panairit.

Çmimi “Olcinium” / Studimi më i mirë e mori Dorian Koçi

Çmimi letrar “Liburnia” / Romani më i mirë e mori autori Odise Kote për romanin “Amerikani”

Çmimi letrar “Servantes” / Përkthimi më i mirë e mori përkthyesi Eris Rusi për përkthimin e veprës “Gjeniu” të autorit Teodor Drajzer

Çmimi letrar “Dega e Ullirit” / Libri më i mirë për fëmijë e mori autori Fatmir Gjestila për vëllimin “Zogu i Agut të Bardhë”

Diplomë “Mirënjohje” për Exlibris (e përjavshme letrare kulturore)