“Logu i Bjeshkëve”, një manifestim i fuqishëm kulturor, kthyer në traditë shumëvjeçare pritet të mbledhë ditën e nesërme qindra spektatorë në natyrën e mrekullueshme të Kelmendit, në Qafën e Predelecit. I planifikuar për t’u zhvilluar të dielën e kaluar më 6 gusht, eventi u shty me një javë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike megjithatë duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga organizimi i tij.

Melodi nga instrumentët shekullor, hijeshia e xhubletës, veshur nga vajzat e Malësisë do të vazhdojnë të dominojnë “skenën” e improvizuar në natyrë. Në dallim nga vitet e kaluara “Logu i Bjeshkëve” pritet të jetë më gjithëpërfshirës këtë edicion, pasi veç melosit të veriut nuk do të mungojë as isopolifonia e jugut apo këngët e vallet nga Shqipëria e mesme.

Zgjerimi gjeografik etnokulturor i “Logut të Bjeshkëve” ka të bëjë me qëllimin e organizimit të tij që veç promovimit të bukurive natyrore të zonës është edhe bashkimi kulturor si mesazh i rëndësishëm që kërkon të përcjellë ky manifest.

Këtë vit është hera e parë që “Logu i Bjeshkëve” zhvillohet qëkurse xhubleta u bë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, e mbrojtur nga UNESCO ndaj evidentimi i kësaj veshje shekullore pritet të zërë vend edhe tek artistët pjesëmarrës dhe jo vetëm tek vajzat konkurente për çmimin “Miss Bjeshka”.

Atmosfera e festës do të vijojë me një program të pasur artistik për të gjithë të pranishmit. “Logu i Bjeshkëve” është pjesë e Kalendarit Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor, Traditës dhe Aplikacionit TEA.