Kisha e Shën Rrokut në Shirokë është projektuar nga arkitekti Kolë Idromeno në fund të shek. XIX. Shenjti i Shën Rrokut është i lidhur me mrekullibërësin shërues dhe për nder të tij festohet çdo 15 gusht nga zonat përreth me meshë dhe proçesion. Sipas gojëdhënave thuhet se Shën Rroku ka kaluar edhe në trojet shqiptare.

Stili i zgjedhur arkitekturor është ai i një trajte romantizmi kombëtar dhe “art nouveau”, vendosur në shpatin e kodrës dhe që paraprihet nga shkallët e gjera, paradë, pajisur me balustra. Fasada me thyerjet e saj, harqet lombarde në krye krijon plastikën dritë-hije për të shfaqur një panoramë tërheqëse. Pjesa e sipërme zbret ëmbël nga qendra me anën e volutave të stilizuara.

Kisha ndahet horizontalisht nga dy korniza paralele që diferencohen në ngjyrë. Afresket e mbetura flasin për karakterin poliedrik të Kolë Idromenos. Sot kjo kishë është e restauruar dhe në funksion të plotë.