Nga Ramazan Çeka

Artisti dhe aktori i humorit shqiptar Zef Deda, “Mjeshtër i Madh”, na bëri të qeshnim në të dy sistemet e këtyre dy gjysëm shekujve të fundit, lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 në një familje plot kulturë e vlera shkodrane, pjesë e së cilës ishin shumë intelektualë dhe artistë në zë për kohën. Familja Deda ka nxjerrë muzikantë, ndërsa daja ka qenë At Benardin Palaj, muzikant, etnograf e psikolog. Nanagjyshja e tij ka qenë gastore. Babai i tij ka punuar në Teatrin “Migjeni” piktor, skenograf, pjesëmarrës si aktor, që në krijimin e teatrit profesionist. Në këtë familje lindi dhe u rrit Zef Deda, por në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku babai punonte, Zefi përfitoi kulturën, artin dhe frymën entuziaste e komike të kësaj familjeje.

Janë vitet e para të sistemit monist, të cilat lanë gjurmë edhe në fushën e artit e kësisoj edhe në rrugëtimin e artë të Zef Dedës, i cili premtoi shumë, që në realizimin e rolit të parë kur ishte ende fëmijë. Zef Deda u rrit në studion e babit të tij dhe në moshën 5-vjeçare e aktivizoi në një dramë në vitin 1956, në dramën ruse “Nëna” të dramaturgut Maksim Gorki, përkrah aktores së madhe Roza Anagnosti (Xhuxha) dhe muzikantit Karlo Radoja. Në rrugën e ndritur të artit hyri që në moshën 6-vjeçare me rolin e Antonit, një lypsar i shoqëruar nga motra dhe vëllai i tij, më të mitur, ku do u dilnin përpara revolucionarëve që dilnin nga kisha për të bërë mbledhjen e Revolucionit.

Veç njohjes me aktorë të mëdhenj si Adem Kastrati, Zef Jubani, Bep Shiroka, Lec Bushati, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, etj. Zefi i vogël i hyri botës së artit, rrugës të cilën e njihte edhe babai i tij, që asokohe punonte si skenograf në teatër.
Në formimin e tij kulturor e artistik merita të mëdha ka pasur familja e Zefit, pjesë e së cilës ishin muzikantë, artistë, mësues që e edukuan dhe i mësuan shumë gjëra, sidomos pas vdekjes së babait, gjëra të cilat e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në interpretimin e roleve në skenë.

“Deri në vitin 1969 Zefi ishte aktor amator. Atë vit u bë një audicion në kërkim të talenteve të reja, të cilin e fituan së bashku me aktoren Zyliha Miloti. Ajo filloi punë menjëherë si profesioniste, kurse Zefi shkoi ushtar për tre vite, ku bashkëpunoi me Estraden e Ushtarit në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në dhjetor të vitit 1972, pak javë më vonë, më 13 janar 1973, e emëruan të punojë si aktor profesionist në estraden e Shkodrës.

Të gjitha rolet Zefi i ka dashur dhe vlerësuar, madje kishte kënaqësi kur të tjerët shkruanin role për Zefin, si artistë-shkrimtarë, si shkrimtarë-artistë, por dhe humoristë. Ka pasur fatin e mirë që ka punuar me regjisorë dhe krijues të famshëm si i madhi Paulin Sekuj, Edmond Mhilli etj, të cilët kanë ditur t’i përshtasin rolet që të kishin vazhdimisht sukses, pasi Estrada Profesioniste përbëhej nga artistë të mëdhenj e të fuqishëm, artistë të mrekullueshëm që ishin një shkollë e madhe për Zefin dhe që e mësonin të luante dhe interpretonte me zemër, si: Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Jolanda Shala, Gëzim Kruja i madh, Drande Xhai, Besnik Çinari e Anton Krosaj.

Ka qenë një fat i madh që Zef Deda ka bashkëpunuar me këta shkrimtarë, këta artistë, por njëkohësisht ka pasur edhe përgjegjësi shumë të madhe të luaj rolin që kanë shkruar për të dhe që regjisori i ka besuar Zefit. Të gjitha rolet që ka luajtur i ka dashur, i ka pasur për zemër, pra merrte tipin, formonte dhe interpretonte fort dhe ia jepte spektatorit dhe Ai po ta pëlqei do ta ruante përgjithmonë, për gjithë jeten në kujtesën e tij.

Ndikim pozitiv kishin edhe shkrimtarët e mëdhenj si Pulin Selimi, Kolec Pepa, Ahmet Kameri, Gjergj Vlashi, Paulin Preka, Nonda Bulka, Dritero Agolli e shumë të tjerë, të cilët e kishin për krenari të punonin për kolosët e Estrades Profesioniste të Shkodrës sikurse edhe për Zefin. Pra, të gjithë këtyre artistëve, me Musa Ademin prej në fillim rreth vireve ’58-’59 kur Zef Deda ishtë fëmi u ka qëndruar afër dhe i ka dashur me pasion sepse e kanë mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, pra për çdo gjë, por, duke lexuar dhe duke mësuar për artin skenik, për të dalur sa më real, duke krijuar tipa, karaktere, pjesë që i kanë pëlqyer gjithmonë.

Mund të veçojmë rolet me imitime me aktoren Rita Ndoci, kur imitonin këngëtarët e asaj kohe, imitimin e mjeteve të para teknologjike, imitonte motorat, makinat, aeroplanat, trenat, imitime në gjuhë të huaja dhe role të suksesshme me të madhin Gjosho Vasija, në duart e të cilit është rritur, duke e aktivizuar me Estraden e Vaut të Dejës e më gjërë, ku në të gjitha ato role spikaste ai humori edukativ, duke vënë në dukje të metat e asaj kohe si dembelizmi, mendjemadhësia, hipokrizia e shumë vese që me anë të humorit shoqëria etiketonte dhe vinte në lojë njerëz të ngjashëm me ta.

Një përvojë të madhe profesionalizmi në interpretim Zefi mori në Shtëpinë e Pionierit, ku është rritur edhe ka mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme si me dashtë rolin dhe interpretimin, skenen, spektatorin, si dhe me e zbërthye mirë çka don me thanë aktrim. Të gjitha këto nga mjeshtri që kanë pasur, aktorin e famshëm të Teatrit “Migjeni” Paulin Laca, i cili e mësoi kordinimin e gjestikulacionit me zërin dhe kjo ka qenë një akademi arti për Zefin, për mjeshtrinë e interpretimit skenik.

Zef Deda pati edhe majat e tij në jeten e gjatë në skenë, duke skalitur figura që nuk do të harrohen kurrë, siç mund të përmendim Çarli Çaplinin Shqiptar dhe kunatin e shokut Xhemal, të cilët kanë mbetur në kujtesen e publikut shkodran e shqiptar dhe që edhe sot e kësaj dite kanë vlera të jashtëzakonshme sa herë që shfaqen në ekranet e televizorëve.
Në shtator të vitit 2020 kam botuar një shkrim për të madhin Zef Deda, ku përmes një interviste që i mora, ndër të tjera u shpreh:

“Në vitet ’90-’92 u duk sikur fituam lirinë, sikur i shpëtuam çensurës së mendimit të lirë dhe të ëndrrës për të realizuar ambicjet tona, ku për fat te keq “si e nisëm nuk bitisi”. U zhgënjyem totalish nga depërtimi i politikës në këto institucione me vendosjen e nënpunësëve të pa aftë në drejtimin e tyre, sidomos kohëve të fundit, ku mund të themi se ka pësuar një regres total arti, kultura dhe arsimi në vendin tonë, pa të cilat populli është amorf, fle, vdes, shprehet jo pak i shqetësur aktori i madh dhe vazhdon: Institucionet janë të marra peng nga mafja, nuk investojnë por përfitojnë aq sa sot aktivitetet numërohen me gishtat e dorës, në një kohë kur para viteve ’90 janë dhënë mbi 250 shfaqe në vit në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë fajin ia vënë politikës, e cila jo vetëm që e lejon të degradojë, por investon në platforma që keqedukojnë dhe tjetërsojnë artin dhe trashëgiminë tonë kulturore”.

Për t’iu shmangur pak politikës dhe kësaj gjendjeje që realisht jemi koshient se qëndrojnë, më poshtë po flasim për vlerësimet që Zef Deda ka marrë për gjatë gjithë karrierës nga institucionet e artit dhe të kulturës. Zef Deda, biri i Shkodrës dhe i humorit shkodran, vlerësimin më të madh, para të cilëve përulet me respekt e ka marrë nga duartrokitjet e spektatorit dhe artëdashësve shkodranë e shqiptarë anë e mbanë botës për gjatë gjithë karrieres së tij.

Që fëmijë Zefi ka marrë shumë mirënjohje, vlerësime e medalje, ku do veçojmë atë të vitit 1967, kur mori çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin e estradave amatore në Vaun e Dejës, ku mori titullin “Laurat i Republikës së Shqipërisë” në moshen 17 vjeçare. Mandej në Estraden e Ushtarit mori çmimin “Naim Frashëri”, të njëjtin e fitoi edhe në Estraden Profesioniste të Shkodrës. Më vonë, në vitin 1985 me kunatin e shokut Xhemal “Laurat i Republikës” dhe shumë shpejt, pasi fitoi edhe “Naim Frashërin e Artë” në vitin 1986 e vlerësojnë me titullin “Artist i Merituar” në moshën 36 vjeçare.

Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Veç këtyre vlerësimeve ka marrë edhe shumë e shumë të tjera si “Krenaria e Shkodrës”, “Mirënjohja e Qytetit”, etj.
Me rastin e kremtimit me madhështi e nderime të 70 vjetorit të formimit të Trupës Profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, “Mjeshtri i Madh” Zef Deda bëri një gjest që do të mbesë gjatë në kujtesë. Ai me krahë hapur bëri sikur përqafoi Tetarin e tij të dashur, duke mbështetur duart në muret e tij dhe duke i dhuruar një puthje që përloti, jo vetëm atë, por të gjithë të pranishmit.

“Ashtu si besimtarët falen në kisha e xhamia, apo në institucione të tjera fetare, ashtu si sportistët apo shkencëtarët u japin shpirt objekteve ku punojnë e veprojnë në mënyrë të pashmangshme, të gjithë aktorët përulen para Teatrit”, tha përmes mallëngjimit i madhi Zef Deda.
Ai Teatër është djepi që e ka rritur Zefin, ka rritur dhe edukuar breza të tërë artistësh të paharruar. Ka dhuruar emocion, kënaqësi dhe shpresë. Ka edukuar këtë popull me virtute të mira, ka ruajtur e përcjellur ndër breza trashëgiminë tonë të lashtë kulturore.

Ai teatër është vetë jeta e Zefit, të cilin ai e puthë dhe përqafon me krenari edhe prej në shtëpinë e tij, sapo zgjohet në mëngjes.
Zef Deda mbushi plot 73 vite jete. Kjo nuk më bind dot pasi unë mendoj se në pension ka dalë mosha, por nuk ka dalë artisti. Artistë si Zef Deda janë të rrallë, nuk përsëriten dy herë, por edhe nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë përgjithmonë në memorjen e artit shqiptar.