Nga Oli Pero

Me siguri që studiues të tjerë, dashamirës të historisë, miq dhe kolegë të Paulinit, do kishin dhanë të tjera dëshmi apo ngjyrime në nji parathanie. Kjo e jemja âsht nji përpjekje për t’i sjellë nji anë njerëzore këtij studimi. E them këtë pasi ai besonte fort se historia åsht shkencë dhe nuk interpretohet si duan fitimtarët.

Pauli Pero u lind në Shkodër me 1 korrik të vitit 1946, në nji familje të thjeshtë me prejardhje nga Mali i Zi. Shumë e njohin si Pavlini, Pali, Paulini.

Baba i tij, Rado, mbante familjen duke punuar si këpucar në nji dugajë te Bexhisteni, ndërsa nana, Olga, mbasi kishte punuar shkurtimisht si mësuese (dhaskalicë) në Kosovë, mbas martesës dhe lindjes së fëmijëve, punoi në fabrikēn e brushave. Së bashku patën pesë fēmijë. Jetuan gjithnji modestisht, duke u përpjekë me lanë respekt në shoqëri, si paraardhësit e tyre përgjatë njëzet dekadave në këtë qytet.

Familja do kishte nji randsi tepër të madhe për të dhe një rol kyç do luante e ama. Prej saj mësoi gjuhën malazeze dhe u mundua ta përmirësojë autodidakt, duke krijuar me durim një fjalor me shkrim dore.

Kjo i shërbente jo vetëm gjatë bisedave me nanën, si nji mënyrë që të tjerët të mos kuptonin se çfarë po kuvendonin, por edhe pēr të ruajtur marrëdhaniet farefisnore në Malin e Zi. Më vonë, kjo gjuhë do i hynte në punë gjatë hulumtimeve historike.

Pauli mbaroi shkollen e mesme pedagogjike në vitin 1964 me rezultate shumë të mira. Nuk u lejua të fllonte fakultetin pasi në bllokun e kujtimeve të
një shoku, kishte shkruar diçka që per sistemin e asaj kohe, konsiderohej si e papëlqyeshme. Kështu, ai u dërgua të punonte menjëherë si mesues në zona të thella malore. Në vitet 1964-1967 ka punuar në fshatrat e Tropojës. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, në vitet 1969-1973 ka shërbyer dy vite në Theth dhe dy vite në Lotaj të Shalës, e më pas pesë vite në Vrith të Shkrelit.

Me gjithë vështirësitë e shumta ai nuk u dekurajua, përkundrazi, në gjirin e malësorëve, gjeti miq besnikë përjetë, të cilët i deshi dhe e deshën. Si rrëfimtar i
zoti, do sillte shpeshherë ngjarje që i kishin shënjuar kujtesën. Edhe pse të varfër, malësorët s’e kishin lënë vetëm në situata te vështira. Këto histori gjenden të
publikuara në një nga numrat gazetës “Dukagjini”, në një intervistë të dhënë për këtë të fundit.

Të tjera më janë treguar kur mërzitesha me përrallat e zakonshme dhe i kèrkoja të më tregonte histori të vërteta nga jeta e tij. Keto ia kam rrëfyer më pas edhe tim biri kur ishte i vogël.

Gjatë kohës kur punonte si mësues në malësi, iu dha e drejta të ndiqte me korrespondencë Institutin Pedagogjik dhe të përfundonte studimet për Histori-Gjeografi në vitin 1971. Kjo do sillte nje kthesë të rëndësishme në jetën e tij pasi në vitin 1978 fillon punën në Muzeun Historik të Shkodrës si arkivist.

Që nga ajo kohë, muzeu do ishte shtëpia e tij e dytë dhe një institucion formues. Nuk është e tepërt të themi se në njëfarë mënyre, të dy e rritën njëri-tjetrin në një bashkëjetesë tridhjetë e dy vjeçare.
Muzeu për të, ishte pasaporta që vërtetonte identitetin e një komuniteti.

Arkivi dhe biblioteka e Muzeut Historik të Shkodrës mbeten ndër ma të pasunit në rrjetin muzeor të Shqipnisë. Ai qe kontributor në ngritjen e pavionit të
Arkeologjisë, rikonstruksionit të Muzeut të Kështjellës, pasurimit dhe kartelizimit shkencor të bibliotekës, fillimit të dixhitalizimit të fondit të Fototekës Marubi, kur kjo ishte në administrimin e Muzeut.

Ai punoi me dashni dhe përkushtim për grumbullimin, ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtnore në Shkodër. Sipas tij, kjo trashëgimi nuk duhet të “flejë” por duhet t’u transmetohet përmes formash të ndryshme njerëzve që jetojnë sot dhe atyre që do të vijnë, qofshin këta vendas apo të huaj. Në këtë linjë mendimi, ai
kontriboi gjithashtu në redaktimin dhe botimin e periodikut “Kumtari” dhe “Shkodra në Shekuj”, me mijëra faqe shtyp shkencor. Ndër të tjera botoi bashkë me kolegun e tij, Mentor Koplikun, libërthin
“Shkodër” si dhe redaktoi libra të tjerë me karakter historik, por jashtë muzeut. Ndihmoi në konceptimin dhe dizenjimin e muzeut dedikuar Dedë Gjo Lulit.

Mbrojti fondin e muzeut gjatë viteve të errëta që pasuan 1997-n. Ai është nderuar me Urdhërin “Naim Frashëri” në vitin 1990 për edukimin atdhetar të masave punonjëse, veçanërisht brezit të ri.

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipnisë, me propozim të Muzeut Historik të Shkodrës, dhe votim unanim, Këshilli Bashkiak miratoi në tetor të vitit 2012, dhënien e Çertifikatës së Mirënjohjes
për Kontribut të rëndësishëm në hulumtimin e trashëgimisë kulturore lokale e kombëtare shqiptare.

Me gjithë nderimet dhe respektin që gëzonte në shumë rrethe, Paulini mbeti një njeri i thjeshtë dhe i urtë. Caku i tij qe një tryezë e drunjtë pranë dritares së ulët të muzeut “Oso Kuka” dhe miqtë besnikë, librat, gjyslykēt, stilografi që shpesh i kullonte bojën në xhepin e kēmishës, fletushkat e shënimeve dhe makina e shkrimit. Ai kalonte orë dhe ditë të tëra duke studiuar, mbajtur shënime, përkthyer, korrigjuar në një epokë pa qasje në kompjuter apo internet.

Edhe në shtëpi, ai do ruante të njëjtin kuriozitet dhe përkushtim përkundrejt kërkimit shkencor.

Në kujtesën time dëgjoj ende tingujt e makinës së shkrimit, letrat fotokopjative dhe shiritat e bojës të cilat vitet e fundit i gjente me vështirësi. Shpesh punonte në dritën e qiriut.

Në bibliotekën që e pat ndërtuar me duart e veta, së bashku me të vēllain Gligorin, dy ndarje u ishin dedikuar disa dosjeve të mbajtura me shumë rregull. Kur e pata pyetë se çfarë përmbanin, më asht gjegjë se aty kishte organizuar punën për një libër të mundshëm për shtypshkronjat në Shkodër.

Për dy vite me rradhë gjatë rinisë së hershme, Paulini kishte ndjekur kursin në Rrethin e Shtypshkronjēs së Shtëpisë së Pionierit duke u kualifikuar si tipograf-rradhues. Ai ishte i apasionuar pas kësaj fushe dhe kujdesej të ndiqte botimet e Muzeut dhe më tej, ndër shtypshkronjat e qytetit.

Pas daljes në pension e pata pyetë se pse nuk e kishte nisë ende librin dhe se nëse kishte dëshirë unë merrja përsipër financiarisht t’ia botoja. E pashë që u gëzua por hezitoi dhe më tha se kishte frikë që materiali nuk ishte i plotë. Duke e mirëkuptuar nuk e pata ngacmuar më.

Im atë u largua nga kjo botë ashtu siç jetoi: në heshtje. Gjatë atyre pak muajve që vuajti sëmundjen, meraku i tij i madh, ishte realizimi i pemës gjenealogjike të familjes, duke e gjurmuar linjën farefisnore deri te paraardhësi i ynë Niko, në 1790. Jam e lumtun që kam mundur ta ndihmoj sadopak në këtë përpjekje.

Pak ditë mbas humbjes së tij, u largova nga
Shqipnia me peshën e dhimbjes dhe dosjet me materialet mbi shtypshkronjat, duke i premtuar vetes se do përpiqesha të bëja diçka që hulumtimi i tij të merrte jetë. Kjo, jo vetëm për të nderuar punën e tij, por edhe si detyrim moral karshi historisë së qytetit, e cila na flet çdo ditë por shkruhet, lexohet dhe njihet nga përherë e më pak njerëz.

Meritat i takojnë prof. Stefan Çapalikut, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer me materialet e konservuara prej tashmë katërdhjetë vitesh. Pa të, ky botim do të vonohej dhe nëse rrethanat nuk do
e lejonin, mbase nuk do e shihte as dritën e botimit. Familja jonë do i jetë përherë mirënjohëse.

Do të ishte një mungesë e ndjeshme që ekzistenca e shtypshkronjave të Shkodrës të kalojë në heshtje. Roli i shtypit në shoqëri është i njohur botërisht, por për objektin, metodat dhe funksionimin e tyre
eshte folur pak. Shpresoj që nëpërmjet kētij libri, të lihet një gjurmë e mirë mbi këte çështje. E nëse meraku i drejtë i babës, që materiali nuk është i plotë, le të jetë kjo një ftesë për diskutim dhe pasurim me fakte të tjera mbi shtypshkrimin në Shkodër.

Shkëputur nga Parathënia e librit “Shtypshkrimi dhe shtypshkronjat e Shkodrës” të autorit Pauli Pero