Plazhi më i pastër në Shqipëri, më i madhi në veri të vendit, Velipoja. Ajo mbetet ndër destinacionet më të preferuara turistike. I lakmuar për pastërtinë e ujit dhe për gjerësinë e bregut ranor, Velipoja nuk është vetëm destinacion ideal familjar por ideal edhe për sportet e ndryshme, sidomos ato ujore.
Kështu ushtruesit e sporteve të ujit mund të argëtohen duke bërë kite surf, wind surf etj., sepse 14 kilometrat e plazhit të Velipojës ua ofrojnë këtë mundësi. Është pikërisht Albanian Water Sports që prej kohësh tashmë u ofron të apasionuarve të sporteve ujore, “fluturime mbi valë”, duke argëtuar jo vetëm të rriturit por edhe fëmijët. Nuk duhet harruar as oferta e larmishme e pushimeve të plazhit në Velipojë: që nga hotelet dhe apartamentet luksoze deri te akomodimi ekonomik i cili është mjaft i përshtatshëm për pushime familjare, që duan të kënaqen por edhe të mos shpenzojnë shumë para.
Natyrisht që Velipoja ofron edhe akomodim në hotele me pesë yje, për ata që kërkojnë standarte të larta dhe cilësi absolute. Madje ju mund të shfrytëzoni edhe kampingjet, në brendësi të Lagunës së Vilunit, në Baks-Rrjoll, një fshat i vogël, që përveç plazheve intime ju ofron edhe mundësi ngjitjeje në mal, prej nga ku mund të shijohet më së miri panorama e plotë e plazhit të Velipojës, deri te Derdhja e Bunës.
Kështu, pasi të rrëshqisni gjithë
ditën mbi ujë, ju mund të ndizni zjarr pranë çadrës së kampingut e të këndoni deri natën vonë bashkë me miqtë tuaj për pushime të paharruara ose pasi ta keni mbaruar ditën tuaj të plazhit, të
shkoni në hotelin familjar që keni zgjedhur për pushime e të shijoni gatimet lokale, kuzhinën e shtëpisë dhe sidomos shijen e produkteve organike, që hotelet i marrin nga fshatrat rreth zonës së Velipojës, nëpër fushat e begata të ultësirës shkodrane. Velipoja është vërtet një zgjedhje ideale për ju këtë verë!
