Pedonalja shtrihet përreth një hapësire prej 800 m dhe është shtruar e gjitha me gurë dekorativë. Pedonalja e Shkodrës është kthyer në një nga mjediset kryesore turistike të vendit.

Në këtë shëtitore bashkohen jeta e përditshme me historinë e nostalgjinë, ku në çdo moment të ditës ndeshesh me vendas e vizitorë, tě rinj e të moshuar. Kjo rrugë që prej ndërtimit të saj rreth shek. XX është quajtur “Zemra e Shkodrës”, e emërtuar “Piaca”.

Ajo është projektuar nga arkitekti e piktori i njohur Kolë Idromeno, emrin e të cilit mban shëtitorja ndërsa aty dallohen detajet e shumta veneciane, të cilat Idromeno i solli në Shkodër pas shkollimit të tij në Venecia rreth shek. XX.

Ndërtesat dykatëshe me oborre të brendshme, dritare të dekoruara me stil, janë elementët të cilat karakterizojnë arkitekturën duke i dhënë kalimtarëve një kënaqësi estetike të rafinuar. Krahas ambienteve të shërbimit si dyqane, bare, restorante, në të ndodhet dhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” me vlera të larta dokumentuese dhe artistike.