Përpos bukurive natyrore, ky sezon turistik pritet të jetë i larmishëm edhe sa i përket organizimit të aktiviteteve kulturore për çdo grupmoshë në mbarë vendin. Institucionet e Artit në varësi të Ministrisë së Kulturës si dhe artistët e pavarur të skenës kanë hartuar kalendarin e tyre artistik ndërsa në Shkodër janë konfirmuar 13 aktivitete të tilla deri në fundin e sezonit në shtator. Kjo u bë e ditur nga drejtuesja e DRTK Shkodër Besara Podgorica përmes konferencës së ditës së sotme.
Organizime të kthyera në traditë si ai i festivalit “Za Fest” nuk do të mungojnë as këtë vit.
Sa i përket Shkodrës, këto aktivitete të larmishme në dallim nga viti i kaluar nuk do të jenë të përqendruara vetëm në qytet por edhe në qendra të tjera turistike si ajo e Shirokës apo Velipojës.
Falë Agjencisë Kombëtare të Turizmit, ky kalendar me aktivitete është lehtësisht i aksesueshëm përmes aplikacionit TEA, falas në çdo smartphone. Në të gjenden të gjitha veprimtaritë artistike të konfirmuara për këtë sezon turistik në çdo kohë dhe në çdo vend.
