Kurora e maleve hijerënda që rrethojnë Thethin, të bukurin e Alpeve Shqiptare u bë dëshmitare e një feste të mrekullueshme në këtë zonë. Tingujt e lahutës krenare, vallet tradicionale nën petkun e xhubletës, pasuri e mbrojtur tashmë edhe nga UNESCO jehuan sërish.
Tradita e promovimit të bukurive të kësaj zone vijoi edhe këtë vit me Festën e Alpeve, organizuar nga Bashkia e Shkodrës. Përfaqësuesi i saj, nënkryetari Rudin Beka u shpreh se Bashkia ka shtuar vëmendjen ndaj zonave turistike si Thethi dhe se në të ardhmen do të zbatohen disa projekte zhvillimore.
Panairi i artizanatit dhe kulinarisë, produkteve tradicionale të zonës, ekspozita me fotografi nga bota e egër, turi me biçikleta nga Shkodra në Theth, guida natyrore në disa nga pikat tërheqëse të zonës përfshirë edhe Kullën e Ngujimit, koncert me këngëtarë të zonës ishin veprimtaritë e zhvilluara në kuadër të kësaj feste me pjesëmarrjen e vendasve dhe turistëve.
Pjesë e festës ishte edhe promovimi i publicistikës së të ndjerit Ndoc Mulaj, promovuesit të Alpeve Shqiptare me titullin “Unë dhe Alpet”.
