Ndonëse duhet pritur pak kohë deri në zhvillimin e edicionit të 8-të të festivalit “Luleborë” duket se puna për organizimin e tij ka nisur që tani, kjo pasi Bashkia e Shkodrës ka shpallur thirrjen e hapur përmes faqes së saj në Facebook në lidhje me kriteret e pranimit të pjesëmarrësve sa i përket edicionit të ri.
Autorëve të këngëve, kantautorëve si dhe poetëve u kërkohet që krijimet e tyre origjinale të kenë një gjuhë muzikore në përshtatje me tendencat e kohës ndërsa në thirrjen e hapur nxiten të gjithë ata që duan të sjellin këngët e tyre duet, trio ose grupe muzikore.
Nga i njëjti autor nuk pranohet më shumë se një këngë por gjithsesi ai mund të sjellë në festival deri në dy tekste.
Krijuesit e rinj por edhe ata të afirmuar duhet t’i sjellin materialet e tyre në Zyrën e Protokollit në Bashkinë e Shkodrës.
Afati i dorëzimit të materialeve muzikore është data 1 shtator ku më pas një komision artistiko-kulturor do të vendosë mbi pranimet e reja për edicionin e tetë të festivalit.
Festivali “Luleborë” po organizohet në Shkodër që nga viti 2016 dhe që nga ajo kohë janë zhvilluar 7 edicioni ku fituesja në fuqi është kantautorja Ana Bushgjokaj, e cila rrëmbeu çmimin e parë me këngën baladë “Zemra kërkon zemrën”.
Njoftimi i plotë:
Bashkia Shkodër ka kënaqësinë të njoftojë mbajtjen e edicionit të tetë të Festivalit “LULEBORË”, në tetor 2023.
Ftohen të gjithë krijuesit e rinj dhe të afirmuar, të sjellin materialet muzikore në Bashkinë Shkodër, pranë zyrës së Protokoll/Arkivës, drejtuar Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Adresa: Rr. 13 dhjetori, nr.1, Shkodër.
DO TË PRANOHEN VETËM SUPORTET DIXHITALE COMPACT DISC.
Autorëve të këngëve, i kërkohet domosdoshmërisht arranxhimi paraprak, pasi në vlerësimin e materialit muzikor hyn edhe arranxhimi. Kështu që, dorëzimet e materialeve muzikore duhet të paraqiten në formatin e DEMOS muzikore me këto parametra:
a) arranxhim i realizuar bashkë me zërin e këngëtarit të regjistruar dhe të miksuar në parametra përafërsisht përfundimtare, të përshtatshme për komisionin seleksionues. Në mungesë të këngëtarit, linja e kantos duhet të luhet nga një instrument.
b) bashkëngjitur me CD, autorët duhet të dorëzojnë edhe partiturën në format të printuar (melodi me akorde), tekstin, si dhe mundësisht të kenë të përcaktuar këngëtarin/ët, apo grupin që do të intepretojë këngën (në rast konstatimi të problemeve teknike të riprodhimit të CD-së, autorët do të njoftohen me një email zyrtar nga produksioni).
c) Nga i njëjti autor nuk pranohet më shumë se një këngë (muzika). Gjithashtu, nga i njëjti autor mund të pranohen deri në dy tekste.
Kriter kryesor është që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. Publikimi i tyre në çfarëdo lloj forme para natës së parë të zhvillimit të Festivalit “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival.
Kritere për krijimin e këngëve.
Autorëve të këngëve, kantautorëve si dhe poetëve, i kërkohet që krijimet e tyre të jenë sa më origjinale.
a) Janë të mirëpritura këngët me gjuhë muzikore në përshtatje me tencencat e kohës.
b) Pranohen krijime këngësh për duete apo trio këngëtarësh, apo edhe të shoqëruar me kompleks (band).
Mosrespektimi i kritereve të përcaktuara, është automatikisht përjashtues nga konkurimi.
- Afati i dorëzimit të materialeve muzikore është 1 shtator 2023.
- Mosrespektimi i afatit të përcaktuar, është automatikisht përjashtues nga konkurimi.
