Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë zhvilloi mbrëmë natën e dytë të tij teksa iu prezantuan spektatorëve të pranishëm në sallën e teatrit “Migjeni” edhe 10 këngë të tjera, kënduar prej artistëve të vegjël nga qytete të ndryshme të vendit.
Edhe në këtë mbrëmje solistët e korit të festivalit i rikënduan këngët e kësaj nate ndërsa në këtë mënyrë së bashku edhe me ato të natës së parë, fondit të artë të këngëve për fëmijë iu shtuan 20 të tilla, të cilat do të këndohen edhe në natën e tretë finale të festivalit. Festivali u përshëndet edhe nga fëmijët e QK të Durrësit me një numër koreografik teksa xhubleta si pjesë e kostumografisë së tyre ishte një nga detajet e veçanta.
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë po përjetohet si një festë për fëmijët teksa aktivitete të shumta që i shërbejnë promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore po zhvillohen me fëmijët përgjatë ditës ku po njihen nga afër me disa prej punëve artizanale që janë pjesë e traditës së qytetit.
Sonte do të zhvillohet nata e tretë dhe e fundit e edicionit të 61-të të festivalit ku në përfundim të tij do të mësohet edhe fituesi që këtë vit do të vendoset nga vetë fëmijët pjesëmarrës. Ashtu si dy netët e para të tij edhe nata finale do të vijë për shikuesit drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH-së.
