Premiera “Hekuba”, e shfaqur në fillim të muajit maj në teatrin “Migjeni” me regji të Enke Fezollarit, bazuar në veprën e Euripidit do të rivihet sërish në skenë nga aktorët e këtij teatri por kësaj herë si pjesë e Festivalit Ndërballkanik i Dramës Antike që zhvillohet në kryeqytetin helen, Athinë.
Shfaqja do të ekzekutohet në orën 21⁰⁰ të datës 6 korrik në teatrin “Katina Paxinou” ku Shqipëria do të përfaqësohet nga teatri “Migjeni”. Drejtuesja e teatrit Rita Gjeka dhe njëkohësisht aktore kryesore në këtë tragjedi e konsideron një ngjarje me rëndësi këtë pjesëmarrje.
Më tej znj. Gjeka shpreson në pjesëmarrjen edhe të shqiptarëve që jetojnë në Greqi për ta parë nga afër këtë shfaqje.
“Hekuba” e Euripidit është një përrallë mizore e hakmarrjes së tmerrshme që ish-mbretëresha e Trojës i bëri mbretit trak Polimestor, i cili theri djalin e saj Polidorin, me qëllimin e vetëm të përfitimit. Është gjithashtu një demaskim i fuqisë së akeanëve të fuqishëm, të cilët ishin bashkëpunëtorë në të gjitha llojet e krimeve, kur panë një përfitim për veten e tyre, duke lënë të tjerët të pisnin duart dhe ndërgjegjen.
