Spektatorët e vegjël në shoqërinë e prindërve të tyre kaluan së bashku një pasdite të bukur në sheshin pranë shatërvanit në Velipojë teksa Teatri i Kukullave i kryeqytetit shfaqi për ta pjesën “Roza dhe Fati” me regji të Medi Gurrës, bazuar në “Tregime të Moçme Shqiptare”. Kjo shfaqje erdhi si bashkëpunim i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë me Bashkinë Shkodër.
Rozafa është një nga legjendat më të bukura dhe më domethënëse të folklorit shqiptar. Tre vëllezër duan të ngrenë një kala por përpjekjet e tyre rezultojnë të kota. Ata punojnë gjithë ditën dhe në mëngjes kalaja është e shembur. Për ta mbajtur në këmbë ndërtesën e tyre duhet një sakrificë e madhe: murosja e një gruaje.
Në përfundim të shfaqjes, aktorët e konsiderojnë si një mundësi të mirë për të qenë më afër fëmijëve këtë tur veror të tyre me Teatrin e Kukullave.
Pas Velipojës, shfaqja e kukullave “Roza dhe Fati” do ta vijojë turin veror sot me ndalesën e radhës që do të jetë qyteti i Shkodrës në sheshin para teatrit “Migjeni”.
