“Skënder Drini, individualitet i spikatur në letërsinë shqipe”, u emërtua kështu tryeza shkencore e mbledhur në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në kryeqytet, organizuar nga kjo e fundit në bashkëpunim me shoqatën “Formimi intelektual dhe shkencor”.

Për të folur rreth kësaj figure të shquar ishin të pranishëm studiues dhe personalitete të spikatura që e trajtuan në disa dimensione jetën dhe veprimtarinë e tij.

Si një gazetar i karrierës Gëzim Podgorica trajtoi publicistikën unike të Skënder Drinit duke e lidhur edhe me profesionin e gazetarisë.

“Uragani artistik i Skënder Drinit ka sjellur erëra të forta”- u shpreh më tej Gëzim Podgorica.

Në fjalën e saj pedagogia Mimoza Hafizi veçon karakterin e Skënder Drinit si dhe njërin nga romanet e tij duke e lidhur me profesionin e saj.

Ndonëse i ndarë nga jeta që prej vitit 2014 Skënder Drini do të mbetet një nga prozatorët më të veçantë të letërsisë sonë si dhe një nga zërat më origjinal të saj. Vepra e tij përmban një gamë të gjerë tematikash e motivesh që kanë lidhje me njeriun e kohës në të cilën janë shkruar por edhe me individë dhe ngjarje historike që përbëjnë elemente kombëtare.