Shkrim nga Rita Shkurtaj
Jehona e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës prej muajsh kishte vënë në lëvizje mekanizmat përgjegjës të autorizuar nga institucionet shtetërore në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe ato të pushtetit vendor të autorizuar nga bashkitë përkatëse, për të përzgjedhur elementet kulturore të artit burimor në mbarë trojet shqiptare. Përshkallëzimi i këtyre përgjegjësive bënte që këto elemente kulturore të filtroheshin disa herë bazuar mbi kriteret e paracaktuara nga Ministria e Kulturës dhe specialistët e folklorit deri sa të vendosej se cilët të viheshin në skenën e këtij festivali.
Duke qënë se isha një nga të katër anëtarët e komisionit të autorizuar nga Bashkia Malësi e Madhe dhe njohëse e mirë e këtyre kritereve, vlen të theksohet se ajo që më së shumti kufizonte pjesëmarrjen e gjërë të elementëve kulturor nga treva e Malësisë së Madhe e jo vetëm, ishte koha, pasi vetë Bashkia e Malësisë së Madhe në rang qarku kishte në dispozicion të saj vetëm 7 minuta nga programi. Nga ana tjetër kur elementet kulturore të përzgjedhura nga specialistët merrnin notën kaluese në konkurim, komisionet pranë bashkive nuk kishin më autoritet vendimarrje pasi elementët e paraqitur në qark do të vlerësoheshin nga specialistët në varësi të Ministrisë së Kulturës të ardhur nga Tirana.
Kjo është edhe arsyeja pse nga pesë elementët e përzgjedhur nga Bashkia e Malësisë së Madhe në skenën e festivalit performuan vetëm tre numra. Fakt ky që duhet të jetë shterrues në sqarim të hatërmbetjeve të grupeve apo individëve pjesëmarrës në konkurim, dhe jo vetëm në Bashkinë e Malësisë së Madhe por në të gjitha bashkitë në varësi të Qarkut Shkodër e më gjërë.
Shpirti i garës për të dhënë më të mirën nga folklori dhe vlerat kulturore të krahinës që përfaqësonin bëri që grupi folklorik i Qarkut të Shkodrës të triumfojë në skenën e Festivalit të Gjirokastrës, realitet i matur në duartrokitjet, fishkëllimat, dhe brohoritjet e publikut të shumtë që kishte tejmbushur sheshin dhe muret e kalasë ballë skenës së festivalit.
Siparin e kësaj performance të shkëlqyer të Qarkut Shkodër e hapi Malësia e Madhe e cila në pak minuta përcolli për publikun artdashës gjithë historinë dhe lashtësinë e kësaj treve të mbrujtur në këngë epike, në valle brezash, në lavden malësore e mbi të gjitha me kostumografinë e saj të veçantë xhubletën e Alpeve Shqiptare e cila si kurrë më parë dëshmoi me krenari për vlerat e saj si pasuri shpirtërore mbarëkombëtare që hyri së fundmi nën mbrojtjen UNESCO-s si trashëgimi me vlera të rralla botërore.
Vajza dhe gra fisnike me qëndrim stoik si shqiponjat n’vallzim t’reve pasqyruan për mbarë publikun shqiptar e jo vetëm, lidhjen e pandame nga lindja deri në vdekje të malësores me xhubletën pasi në skenë u paraqit xhubleta e vajzës së mitur, vajzës së rritur, nuses nën duvak, gruas fisnike e deri tek imazhi i nënëlokeve të moçme t’thinjura nën hijen e Kullave t’ Malësisë, krah burrave dhe t’bijve kreshnikë. Po kaq magjishëm u paraqit edhe grupi folklorik i Pukës duke gërshetuar në programin e saj kulturën e lashtë pagane të trashëguar ndër breza si vazhdimësi e jetës dhe mbijetesës së njeriut autokton dhe zot i mjedisit kulturor e natyror ku jeton.
Përveç instrumentave dhe kostumografisë së pasur një vlerë të shtuar pati edhe prezenca e xhubletës së Pukës, tipologji tejet e rrallë në fondin e veshjeve të krahinës.
Pas performancës së grupit të Pukës skenën e pushtoi hijshëm treva e Vaut të Dejës ku dominoi veshja zadrimore me vlera të jashtëzakonshme kulturore. Këngët lirike, vallet, ninullat, instrumentat dhe loja skenike me motive baritore e pasuruan së tepërmi grupin folklorik të Qarkut Shkodër.
Më pas në skenë u ngjit grupi folklorik Fushë Arrëz me një masivitet të rrallë instrumentistash folklorikë në orkestrimin e të cilëve zinin vend edhe instrumentat më të lashtë autokton: lahuta, çiftelia, fyelli dhe pipza, kordinimi i të cilave bëri të “dridhen” edhe muret e kalasë së Gjirokastres.
Pastaj në skenën e festivalit u ngjitën të përformojnë artistët e trevës së Dukagjinit në repertorin e të cilëve bënin pjesë motivet e dasmës së kësaj treve, këngët akapela, epike dhe humoristike duke plotësuar kështu edhe kornizën folklorike të rrathëve kulturor ndërkrahinor me qytetin e Shkodrës, këtë djep të lashtë të kulturës shqiptare.
Më ne fund si qershia mi tortë skena ndërroi petkun e folklorit arkaik dhe veshi mantelin pranveror të kostumografisë së qëndisur me tertil të purpurt nga duart ëndrrimtare të vashave plot nur dhe kostumografinë karakteristike të zotnive të Shkodrës, të stiluar nga kostumografët shkodranë, mjeshtrat më të përmendur në mesjetën e vonë për stilimete veçanta, linja e të cilëve vulosi përgjithmonë diferencën kulturore ndërqytetase.
Në repertorin e grupit folklorik të qytetit të Shkodrës publiku artdashës pati fatin të ndjekë drejtpërdrejt ritualet e dasmës shkodrane të përmbledhur në një buqetë këngësh tipike të folkut popullor të ruajtur dhe kultivuar në memorien kolektive të këtij qyteti si një gjerdan vlerash prej të cilave marrin dhe japin jetë.
Në repertorin e këtij grupi spikatën grupmoshat e reja, bilbilat zâamel dhe turtudheshat gjith nur e dritë të rritun me kujdesin e mjeshtrave të artit e kulturës e të mbrujtur në jehonën e këngës së bukur qytetare shkodrane çka dëshmon se ky djep i kulturës vazhdon të përkundë dhe rritë artista pa ja nda.
I gjithë programi i grupit folklorik të qarkut Shkodër u mbyll me interpretimin e grupit “Karajfilat që ka Shkodra” duke ngjallë emocione të jashtzakonshme tek spektatorët e pranishëm, të cilët nuk ngurruan të këndojnë bashkë me ta. Për të mbështetur dhe ndjekur nga afër grupin e qarkut Shkodër kishte ardhur vetë Ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti me stafin e saj, Prefektja e Qarkut Shkodër znj. Majlinda Angoni, Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe z. Tonin Marinaj.
Të pranishëm ishin githashtu edhe përfaqësues të institucioneve të qarkut dhe bashkive pjesëmarrëse si dhe me dhjetëra media kombëtare e ndërkombëtare. Për realizimin e kësaj paraqitje kaq dinjitoze një meritë të veçantë kanë artistët, të cilët me shumë përgjegjësi dhanë më të mirën nga vetja, organizatorët dhe specialistët e folklorit që me kaq përkushtim dëshmuan rishtas se folklori mbetet një gurrë që nuk do të shterrojë kurrë.
