Një komedi me tematikë ndërgjegjësuese në lidhje me parandalimin e dhunës si dhe zvogëlimin e paragjykimeve ndaj vajzave dhe grave u shfaq mbrëmë në teatrin “Migjeni”. Shfaqja e titulluar “Brekët” erdhi nën interpretimin e një kasti aktorësh nga Tirana si: Ilirda Bejleri, Roerd Toçe, Algiona Aga, Urim Aliaj, Xhuliano Brisku, Kevin Rrapaj si dhe Andi Begolli ku ky i fundit përveçse aktor ishte edhe regjisori i shfaqjes.

“Brekët” është në thelb një komedi gjermane, e shkruar në vitin 1911 nga shkrimtari Carl Steirnheim teksa fabula e saj duket se përshtatet mirë edhe me realitetin e shoqërisë shqiptare.

E gjithë historia nis në një miting, ku një gruaje të re, i bien të mbathurat. Kjo situatë shtyn dy personazhe të tjerë në vepër të hyjnë si qiramarrës në shtëpinë e saj, me shpresë se do të mund të kenë një aventurë erotike me të. Megjithatë komedia duket se nuk mbetet në kuadrin e një intrige të thjeshtë erotike sepse në situatat e krijuara shpalosen të tjera nivele konflikti, ku ndërthuren maskilizmi, demagogjia dhe hipokrizia e burrave në një shoqëri, ku gruaja është ende qytetare e dorës së dytë.

Komedia shkaktoi jo pak të qeshura tek publiku i pranishëm në teatrin “Migjeni” përmes batutave që buronin nga dialogjet e aktorëve në skenë. Kjo shfaqje u mbështet nga ambasada norvegjeze, Instituti për Demokraci dhe Media etj.