Në mjediset e sallës së rektoratit të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u bë ditën e sotme promovimi i ribotimit të librit “Statutet e Shkodrës” ku të pranishëm ishin edhe dy studiuesit kryesorë Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi.

Albanologia e shquar Lucia Nadin shprehet se ky libër është produkt i shumë viteve punë intensive kërkimore dhe studimore rreth Statuteve të Shkodrës.

“Kujtoj herën e parë që kam qenë në Shkodër, pikërisht në universitetin “Luigj Gurakuqi” ku kemi folur rreth Statuteve të Shkodrës dhe që nga njohja me dorëshkrimet që ekzistonin në Bibliotekën e Venezia-s kanë kaluar vite studimi për to sepse nuk ishte aspak e lehtë dëshifrimi i tyre dhe gjuha e përdorur ndaj është dashur shumë kohë punë intensive jo vetëm nga ana ime por edhe e studiuesve të tjerë si prof. Pëllumb Xhufi që ka bërë përkthimin e tyre dhe dua të them se në Venezia gjenden qindra dokumente për Statutet mbi të cilat duhen hedhur dritë për t’i studiuar plotësisht ato.” – u shpreh Lucia Nadin.

Studiuesi Pëllumb Xhufi ndalet tek rëndësia e punës kërkimore, bërë për “Statutet e Shkodrës” dhe vlerën që bart në histori.

Ribotimi i këtij libri u diktua nga fakti që prej vitesh në treg nuk gjendej asnjë kopje e librit shprehen përfaqësues të shoqatës “Korabi”, organizatore e takimit dhe financuesit e librit.

“Statutet e Shkodrës” përbënin kodin normativ vetëqeverisës të Shkodrës gjatë sundimit venedikas. Statute të tilla kanë patur edhe qytete të tjera, por vetëm të Shkodrës janë ruajtur në mënyrë të plotë.