Dita Ndërkombëtare e Muzikës u festua në Shkodër me koncertin e Orkestrës Frymore të qytetit, organizuar nga Bashkia e Shkodrës dhe QK “Pjetër Gaci” me pjesëmarrjen e disa artistëve, në mesin e të cilëve edhe grupi i njohur “Karajfilat që ka Shkodra”.
Spektatorët patën mundësi të shijonin tingujt e gjallë të këngëve të bukura shkodrane dhe atyre botërore. I pranishëm në koncert ishte edhe kryetari i bashkisë Benet Beci.
Për organizatorët e koncertit, Orkestra Frymore mbetet vazhdimi i një tradite të këtij qyteti që kontribuon në pasurimin e jetës kulturore të tij.
Formacioni prej 40 instrumentistësh u drejtua nga dirigjentët Admir Lekaj dhe Fjoralba Duli që në përfundim të koncertit tregojnë për ndjesitë e bukura që morën prej tij.
Për sopranon shkodrane Klodiana Brahimi kthimi nga Italia pranë publikut shkodran për evenimente të tilla mbetet gjithmonë një moment i veçantë.
Lidhjet e Shkodrës me muzikën janë të hershme dhe ndër vite nga ky qytet kanë dalë muzikantë të shquar.
