Shkodra i është bashkuar edhe për këtë vit vendeve të ndryshme të botës që festojnë Ditën Ndërkombëtare të Muzikës përmes organizimit të aktiviteteve me bazë muzikën. I tillë ishte edhe koncerti “Happy Music Day” që u zhvillua në sallën e koncerteve të shkollës artistike “Prenkë Jakova”.

Formacioni i Harqeve, i pasuruar edhe me instrumente të frymës solli për të pranishmit një repertor muzikor me autorë shqiptarë që nga Paparisto deri te Prenkë Jakova por edhe me autorë botërorë.

Dita Ndërkombëtare e Muzikës mbetet e veçantë për shkollën artistike “Prenkë Jakova” pasi përkon me 50-vjetorin e ndërtimit të godinës aktuale të saj por kësaj here ajo është shoqëruar edhe me ribotimin e historikut të shkollës duke saktësuar disa të dhëna që në botimin e parë ishin mënjanuar ose vënë gabim.

Aktivitetet muzikore për festimin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës do të vijojnë edhe sonte në mbrëmje në sheshin para bashkisë me koncertin e organizuar nga Bashkia e Shkodrës dhe QK “Pjetër Gaci”.