Teatri “Migjeni” mirëpriti një koncert të veçantë mbrëmë teksa Orkestra Simfonike e RTSH ekzekutoi disa prej pjesëve më të njohura nga muzika klasike franceze duke i dhuruar publikut emocione të ngrohta.

Përkrah Orkestrës Simfonike ishte solistja franceze Anna Gockel e cila me violinën e saj solli në Shkodër veprat e kompozitorëve francezë si Maurice Ravel dhe Camille Saint-Saëns.

Pas koncertit protagonistët e kësaj mbrëmje Aurelien Azan Zielinski në rolin e drejtorit artistik dhe dirigjentit të Orkestrës Simfonike të RTSH si dhe instrumentistja Anna Gockel falenderuan publikun shkodran që i mirëpriti në këtë mbrëmje muzikore ndërsa vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve Shqipërisë dhe Francës.

“Ishte një koncert shumë i mirë për ne dhe publiku na përkrahu. Dua të them se kjo skenë na pëlqeu shumë edhe për faktin se tingulli dhe akustika ishin në nivelet e duhura dhe për ne ishte shumë kënaqësi të performonim këtu. Sa i përket faktit që këtu po festohet Java Kulturore Franceze është diçka e bukur sepse i shërben bashkëpunimit mes dy vendeve” – thekson dirigjenti Aurelien Azan Zielinski.

“Kaluam një kohë të bukur në një mjedis të ngrohtë sepse na krijoi ndjesinë e afërsisë me publikun e pranishëm këtu. Ai meriton vlerësimin maksimal sepse na hoqi të gjithë ngarkesën emocionale që kemi patur gjatë këtyre ditëve në prova para koncertit. Na pëlqen fakti që ne kemi mundësi të prezantojmë kulturën franceze në një vend të mrekullueshëm si Shqipëria” – shprehet violinistja franceze Anna Gockel.

Koncerti i zhvilluar në teatrin “Migjeni” “Festa e Muzikës” ishte pjesë aktiviteteve që vendi ynë po mban në kuadër të Javës Kulturore Franceze ndërsa u mbështet nga RTSH, Ambasada e Francës, Aleanca Franceze. Pas Shkodrës ndalesa e radhës e Orkestrës Simfonike të RTSH do të jetë Korça.