Në Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës u bë promovimi i librit “Kangë Popullore Erotike” e autores nga Kosova Vlora Nikçi, njëkohësisht aktore profesioniste e Teatrit Kombëtar në Prishtinë prej 22 vitesh.

Këngët janë frut i një kërkimi të vazhdueshëm të autores dhe i përkasin folklorit erotik të trashëgimisë tonë kulturore ndërsa Nikçi shprehet se ky libër është edhe një formë proteste ndaj mënjanimit që i është bërë erotikës në traditën tonë shqiptare.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës Zija Vukaj vlerëson punën e bërë të autores Nikçi për këtë libër.

Të pranishmit në sallë patën mundësi të njiheshin me disa nga vargjet e kësaj përmbledhje përmes interpretimit poetik të gazetarit dhe aktorit Simon Shkreli dhe poetes Arjola Zadrima.

Ky është libri i parë i autores Vlora Nikçi me origjinë nga Peja. Në profesionin e saj si aktore teatri dhe filmi, ajo është vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlora Nikçi njihet edhe si aktiviste për të drejtat e gruas në Kosovë.