Një natë e bukur artistike ishte ajo që u zhvillua në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” nga shoqëria kulturore “Illyricum” teksa u mbajt një koncert me pjesë muzikore shqiptare dhe botërore, i titulluar “Diplomat e Illyricum-it” me disa prej artistët e diplomuar së fundmi në shkollën artistike “Prenkë Jakova” por pjesë e kësaj shoqërie kulturore prej disa vitesh.
Udhëheqësi artistik Lukë Mllugja u shpreh se ky organizim është një falenderim që “Illyricum” u bën këtyre artistëve të rinj.
Artistët që u ngjitën në skenë performuan në katër disiplina: kanto, kitarë, piano dhe flaut. Për disa prej tyre ky është një moment ndarje nga shoqëria “Illyricum” pasi do të vijojnë studimet jashtë vendit por ndjesitë e bukura të kësaj nate do t’i mbajnë mend gjatë.
Në përfundim të koncertit në skenë u ngjit edhe drejtuesja e Shërbimit Social të Shkodrës Valbona Tula, e cila pasi falenderoi organizatorët për eventin, në bashkëpunim me ta ndau disa çertifikata “Mirënjohje” për artistët e diplomuar lidhur me veprimtarinë dhe kontributin e tyre artistik në shoqërinë kulturore “Illyricum”.
