Në sallën A3 të Rektoratit të universitetit “Luigj Gurakuqi” u zhvillua ditën e sotme konferenca e 5 shkencore ndërkombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Profesionit të Punës Sociale”. Fokusi kryesor i saj ishte hulumtimi, zhvillimi dhe promovimi i qasjeve të ndryshme të kërkimit akademik e shkencor dhe praktika në punën sociale.
Kjo konferencë u organizua nga Departamenti i Psikologjisë dhe Punës Sociale të Fakultetit të Shkencave të Edukimit të universitetit “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, atë të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në partneritet me Shoqatën Kombëtare të Punonjësve Socialë dhe Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve Rektorja e universitetit “Luigj Gurakuqi” Suzana Golemi tha se kjo konferencë do t’i shërbejë bashkëpunimit në mes profesionistëve socialë në vend dhe më gjerë.
Ndërsa Rektori i universitetit të Tiranës Artan Hoxha tha se kjo konferencë duhet t’i shërbejë krijimit të politikave sociale sa më të përshtatshme për çdo shtresë të shoqërisë sonë.
Në këtë konferencë u paraqitën gjithsej 52 punime shkencore ndërsa konkluzionet dhe rekomandimet do t’i shërbejnë aktorëve të ndryshëm të interesit që operojnë në praktikat e punës sociale dhe më gjerë.
