Lahuta është konsideruar gjithnjë si një instrument i burrave por nuk është ky rasti i Lumturije Nonaj nga Mali i Rrencit në Lezhë por me origjinë nga krahina e Shkrelit në Malësinë e Madhe. Ajo duket sikur ka lindur njëherazi me lahutën pasi që në vogli janë fillimet e saja të para me këtë instrument të cilin ka 17 vite që e ushtron e që duhet thënë se nuk është i vetmi që zotëron pasi ajo luan edhe në dhjetë instrumente të tjerë, ku veç lahutës edhe çiftelia duket se është një nga instrumentet e preferuar të Lumturijes.
Lahutarja Lumturije Nonaj numëron pjesëmarrje të shumta nëpër festivale dhe evente të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare ku gjithmonë është nderuar dhe vlerësuar me çmime të para apo me medalje të ndryshme, madje edhe me medaljen e vendit të parë në edcionin e 11-të të festivalit “Etno Fest” të zhvilluar në Prishtinë.
Lumturije Nonaj tregohet gjithnjë e gatshme që këtë pasion të saj për instrumentet dhe në mënyrë të veçantë për lahutën t’ua përcjellë dhe kultivojë edhe brezave më të rinj që duket sikur qëndrojnë disi më indifirentë ndaj instrumenteve me vlera të trashëgimisë kulturore kombëtare, ku nuk heziton edhe të përcjellë një thirrje për institucionet përgjegjëse për ta mbrojtur lahutën.
