Fundjava që u mbyll solli në teatrin “Migjeni” një koncert pianistik në nderim të kompozitorit të shquar Gjon Kapidani. Atë e sollën dy ish-studentë të tij: kompozitori dhe pianisti Jozef Pjetri dhe muzikologia Mikaela Minga.
“Rrugëtim me Gjon Kapidanin”, nuk ishte veç një koncert i thjeshtë përkujtimor për piano, por një sintezë mes veprës muzikore, botës emocionale dhe punës pedagogjike të tij.
Muzika, poezia, filozofia, artet pamore dhe kujtimet personale erdhën si një ndërthurje mes tyre duke plotësuar figurën e Gjon Kapidanit edhe përmes imazheve dhe fotove të realizuara nga ai por të rikompozuara nga bija e tij Orestia Kapidani.
Pjesë e aktiviteteve të fundjavës që lamë pas ishte edhe promovimi i një antologjie me poezi të shkruara nga poetë shqiptarë dhe hollandezë, e titulluar “Vajza e së hënës”, në qendrën rinore “Arka” nga përkthyesja Albana Shala, e cila prej vitesh jeton në Hollandë.
Poezitë e kësaj antologjie prekin temën e gruas dhe ajo është botuar në 3 gjuhë: shqip, anglisht dhe hollandisht.
