“N’lulzim t’Shkodrës hajde” ishte eventi me të cilin nisi dita në këtë qytet, dedikuar majit, muajit të ripërtëritjes së natyrës ku në Shkodër, si në asnjë qytet tjetër i janë thurur qindra këngë luleve që gjenden me shumicë ndër oborret e shtëpive shkodrane.

Dita nisi herët për fëmijët që dhuruan lule në disa nga institucionet e Shkodrës si në Zyrën Vendore të Arsimit, në Prefekturë apo në Shtëpinë e të Moshuarve.

Koncerti në sheshin para bashkisë me performancat e fëmijëve të kopshteve, të shkollave 9-vjeçare dhe të shkollave të mesme dhuroi një shfaqje shumëngjyrëshe që u pasurua edhe me aktivitete kreative dhe animacione në natyrë.

Fëmijët duket se janë ata që po e përjetojnë më shumë këtë ditë festive.

Ky event u organizua nga Qendra Aarhus Shkodër me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër. Aktivitetet e kësaj dite do të mbyllen me koncertin e orës 21⁰⁰ të këngëtarit Glerdit Turmetaj dhe bandës shoqëruese.