Në mjediset e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua sot konferenca e përbashkët ndërkombëtare në mes këtij universiteti dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me fokus problemet e albanologjisë në kohën e sotme.
Konferencën e përshëndeti Rektorja Suzana Golemi e cila foli mbi rëndësinë e albanologjisë.
Si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi u ndal tek domosdoshmëria e ndërtimit të një strategjie në lidhje me zhvillimin e shkencave të albanologjisë ndërsa nuk la pa përmendur edhe çështjen e standartit të gjuhës shqipe.
Si përfaqësuese e pushtetit vendor, në rolin e Drejtores së ZVA Shkodër Brisela Kadija theksoi se albanologjia është një dëshmi e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar dhe se Ministria e Arsimit po i jep gjithnjë e më shumë prioritet promovimit të gjuhës, letërsisë, folklorit dhe traditave kombëtare.
Konferenca “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme” është e para e këtij formati që zhvillohet në vendin tonë dhe punimet e saj do të zgjasin dy ditë me radhë.
