Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) janë një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e shteteve të ndryshme të botës teksa ky vit shënon edicionin e tyre të dytë ndërsa një vit më parë ishin plot 18, vendet që u përfshinë në JKN.

Këtë vit ato u hapën me Javën e Europës ndërsa e pason Java Kulturore Greke e cila nis sot dhe do të përfundojë me 29 maj ku janë parashikuar aktivitete të ndryshme, të shtrira në të gjithë vendin. Kjo ditë e parë do të çelet me koncertin e këngëtares Kleoniki Demiri në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse në kryeqytet, ku në fokus janë disa nga materialet më të mira muzikore të kompozitorëve grekë.

Edhe Shkodra është pjesë e programit të JKG ku në orën 19⁰⁰ të datës 26 maj në teatrin “Migjeni” është planifikuar të shfaqet për publikun tragjedia “Ekavi”.

Shkodra ishte pjesë e festimeve të Javës Kulturore Greke edhe vitin e kaluar kur në pedonalen e qytetit u servirën për kalimtarët disa nga gatimet tradicionale greke.

E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, JKN janë vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve dedikuar bashkëpunimit kulturor.