I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij, prof. Ernest Koliqi, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, u lind më 20 maj të vitit 1903 dhe mbylli sytë përgjithmonë më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës). Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen “Gjuhadol”. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik.
Poet, prozator, dramaturg e studiues i madh i letërsisë shqipe. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet më pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve”. Bashkëpunoi me revistat më të rëndësishme të kohës, e themeloi njërën ndër revistat më interesante të letërsisë shqipe “Shkëndija” të Tiranës.

Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”. Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës. Pra, nga viti 1939 qe profesor Ordinar i Gjuhës e Letërsisë Shqipe pikërisht pranë këtij universiteti.
Sot njihet si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Mjaftojnë dy përmbledhjet me tregime “Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior, tjetri, i rrëfimit jugor. Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi.

Sipas mendimit kritik, Konica cilësohet “nismëtar i prozës moderne shqipe”, ndërsa Koliqi, “themelues i prozës moderne shqipe”.
Studiuesi Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.
Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të shkollës letrare të Shkodrës, pasi u ushqye me kulturën poetike klasike dhe moderne e asimiloi kulturën poetike arbëreshe. I dëbuar nga Atdheu, i marrë nëpër gojë për pikëpamjet e tij politike, i mohuar deri si artist, i djegur nga malli për t’u rikthyer fizikisht në Atdhe, vijon të presë në varrezën romake ‘Prima Porta’, nën një rrasë mermeri të kuq, i rrethuar nga njerëz të huaj, i mbuluar me dhe të huaj, nën një qiell të huaj – rikthimin në Atdhe – ndërsa vepra e tij, nuk u largua kurrë prej Shqipnie e sidomos, prej Shkodre…
