Si një natë e vërtetë feste erdhi edhe kësaj here koncerti i organizuar nga teatri “Migjeni” “Prandverë me Kangë” teksa ky vit ngjiti në skenë këngëtarë të përvojës me të rinjtë e talentuar që kënduan disa prej këngëve më të bukura ndër vite të muzikës së lehtë shqiptare dhe asaj botërore.

Ndryshe nga një vit më parë, “Prandverë me Kangë” e këtij viti u fokusua më shumë tek duetet duke ndërthurur zërat dhe artistët në mënyrë harmonike mes tyre.

Drejtuesja e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka vlerëson këtë natë festive dhe thotë se “Prandverë me Kangë” do të vijë edhe në sheshin përpara tempullit të kulturës në Shkodër.

Për mjeshtrin dhe njëkohësisht Drejtorin Artistik Ilir Zoga ky koncert mbart edhe një mesazh për publikun dhe artistët që është ruajtja e muzikës së mirë.

E përfshirë nga emocionet pozitive shfaqet edhe aktorja dhe njëkohësisht moderatorja e koncertit Rajmonda Marku që shpreh vlerësimin e saj për artistët pjesëmarrës.

Koncerti “Prandverë me Kangë” prej vitesh është kthyer në traditë në Shkodër duke ndikuar në ruajtjen e shpirtit dhe identitetit kulturor përmes këngëve që kanë lënë gjurmë tek publiku.