Nisi në Shkodër edicioni i dytë i festivalit të filmit “Indipendent Idromeno Film Festival”, ideuar nga një grup të rinjsh si një lëvizje artistike që synon të integrojë ide të reja në mentalitetin e kineastëve shqiptarë ndërsa këtë vit erdhi me temën e përshtatur në shqip “Rënia e idhujve të rrejshëm”.
Festivali u përshëndet në nisje edhe nga Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali si një nga mbështetësit e festivalit.
Nata e hapjes nisi me koncertin tribut me këngët e grupit “Metallica” të këngëtarit Gjergj Kaçinari dhe Orkestrës Simfonike të teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” të udhëhequr nga Koncert Maestro Petrika Afezolli.
Pas përfundimit të koncertit disa nga protagonistët tregojnë emocionet pozitive që morën nga Shkodra në këtë mbrëmje.
Ky koncert do të përcillet në ditët në vazhdim edhe në rrjetin e RTSH përmes ekranit të RTSH Shkodra ndërsa festivali IIFF do të ketë një kalendar të ngjeshur me aktivitete dhe veprimtari përgjatë të gjithë ditëve të tij deri më 12 maj.
