Një ditë feste ishte kjo e sotmja në Shkodër. Bashkë me natyrën gëzojnë edhe fëmijët në këtë 6 maj që përkon me festën e luleve, një traditë e hershme në këtë qytet.

Aktivitetet e kësaj dite nisën me 12 performancat më të mira të edicionit të 28-të të festivalit “Bilbilat” duke i dhënë gjallëri sheshit përpara bashkisë.

Ermir Zoga, drejtori i QKF “Kujtim Alija” thotë se ky vit ishte i veçantë për festivalin sepse u zgjerua harta gjeografike duke kapërcyer kufijtë e Shkodrës.

Pak metra më tutje, brenda hollit të ndërtesës së bashkisë u çel ekspozita me punime pikture e artistes Greta Tahiraga ku në fokus janë lulet e qytetit.

Dita e Luleve ka histori të hershme në Shkodër teksa ky qytet i ka kushtuar mbi 150 tekste këngësh atyre.