Pas 47 vitesh Kuarteti i Harqeve “ILA ’74” u rikthye sërish për të dhënë një koncert në qytetin e Shkodrës dhe këtë katër instrumentistët Vangjush Papadhimitri dhe Zeqir Sulkuqi në violinë, Ilo Kanani në violë dhe Kostika Tanto në violonçel e bënë në sallën e kinema “Millennium” në praninë e gjerë të spektatorit.
Miniaturat e Tonin Harapit, skicat e Aleksandër Peçit, “Luleborë” e orkestruar për kuartet nga Jetmir Barbullushi, “Erë vjeshte” e Jani Papadhimitrit, “Aromë Korçe” nga Kostika Tanto e shumë të tjera ishin pjesët muzikore që kuarteti “ILA ’74” performoi për publikun e pranishëm.
Kompozitori Gjon Shllaku dha kontributin e tij përmes një krijimi artistik dedikuar për kuartetin “ILA ’74”.
Koncerti erdhi i organizuar nga Bashkia Shkodër, nën kujdesin e QK “Pjetër Gaci”.
