Kuarteti i Harqeve “ILA ’74” përbëhet prej katër instrumentistësh: Vangjush Papadhimitri dhe Zeqir Sulkuqi në violinë, Ilo Kanani në violë dhe Kostika Tanto në violonçel. Koncerti i tyre në Shkodër u përjetua me emocione jo vetëm nga të pranishmit në sallën e kinema “Millennium” por edhe nga vetë pjesëtarët e grupit.
Ishte viti 1974 kur do të krijohej ky kuartet prej 4 instrumentistësh që nuk ishin më shumë se 20 vjeçarë, studentë të Institutit të Lartë të Arteve, asokohe plot pasion dhe ëndrra me iniciativën e profesorit të tyre Ymer Skënderit.
Shumë shpejt kuarteti do të fitonte tingëllimin e duhur të një ansambli harkor me cilësinë dhe sinkronizimin që kërkon një formacion i tillë. Kuarteti që në vitin e parë u bë i njohur sepse përfaqësoi ILA në koncertet e dekadave të majit. Në këto përfaqësime kuarteti vlerësohet me dy çmime të mëdha të koncerteve të majit dhe një çmim të dytë duke interpretuar krijime të kompozitorëve si: Tonin Harapi, Aleksandër Peçi, Diana Ziu etj., vepra që shkruhen enkas për këtë formacion.
Në shkurt të vitit 1975 Kuarteti “ILA ’74” organizon koncertin e parë recital në vend të një ansambli harkor. Ky recital do t’i hapte rrugë zhvillimit të disa koncerteve në qytetet kryesore të vendit. Megjithatë për arsye të emërimeve në qytetet prej nga vinin instrumentistët, kuarteti do të shpërbëhej duke e ndërprerë aktivitetin e tij muzikor por secili prej pjesëtarëve do të vazhdonte të kishte parësore rrugën e muzikës duke vazhduar rrugëtimin si solistë apo pjesëtarë të orkestrave brenda dhe jashtë vendit.
Kuarteti ritakohet sërish në vitin 2019 në recitalin e violinistit Zeqir Sulkuqi “Qytetar Nderi” i Elbasanit me rastin e 65-vjetorit të tij ndërsa në vitin 2022 do të organizonin koncertin e tyre recital e në po të njëjtin vit marrin pjesë si të ftuar në koncertin gala për 60-vjetorin e themelimit të Fakultetit të Muzikës, sot Universiteti i Arteve në Tiranë.
Periudha e gjatë e ndërprerjes nuk ka ndikuar te lloji i muzikës që ata lëvrojnë përkundrazi tani ata ndihen të pjekur artistikisht dhe po ashtu as distancat gjeografike nuk kanë forcën të bëhen pengesë për turnetë që kuarteti ka ndërmend të realizojë edhe në të ardhmen.
Si një shkodran, natyrisht koncerti në Shkodër i përcjell emocion instrumentistit Ilo Kanani.
Ekzekutimi pa mikrofona, ruajtja e stilit të veprës në raport me kohën që është shkruar, serioziteti ekzekutues, realizimi i çdo detaji dinamik apo harmonik, timbrika e tingullit janë disa nga detajet që karakterizojnë kuartetin “ILA ’74” e që do të mbeten gjithnjë në vëmendjen e punës së tyre të vazhdueshme falë aftësive profesionale dhe pasionit që falë botës së madhe muzikore na dhuron gjithmonë ndjesi të bukura.
