Në katedralen “Shën Shtjefni” të Shkodrës u zhvillua mesha pontifikale në kuadër të 30-vjetorit të vizitës së Atit të Shenjtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, teksa pjesë e itinerarit do të ishte edhe qyteti i Shkodrës. Pjesë e kësaj vizite apostolike do të ishte edhe proçesi i shugurimit të ipeshkve të shenjtë në vendin tonë.
Arqipeshkvi Metropolit i Dioqezës Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra u shpreh se ardhja e Atit të Shenjtë asokohe në Shqipëri do të ishte rikthimi i një shprese për shoqërinë shqiptare që vinte nga diktatura dhe kishte humbur besimin.
Në këtë meshë të shenjtë, i pranishëm ishte edhe Nunci Apostolik Imzot Luigi Bonazzi i cili u shpreh se rikthimi tek besimi është një domosdoshmëri për të gjithë.
Papa Gjon Pali II në atë ditë historike të 25 prillit të vitit 1993, Kishës katolike shqiptare të martirizuar, do t’i jepte hierarkinë e parë të pasdiktaturës së komunizmit, klasës udhëheqëse të vendit, do t’i tregonte udhën e demokracisë së mirëfilltë, ndërsa të gjithë qytetarëve, pa dallim, do t’u kujtonte vlerën e vëllazërimit dhe të harmonisë së vërtetë fetare e shoqërore, si thesar për të sotmen e të nesërmen që do të vinte.
