Ndonëse ka 7 vite që jeton në SHBA, këngëtarja Enriketa Kuqani nuk e ka harruar asnjëherë Shkodrën e saj dhe prej 2 javësh ajo ndodhet këtu për pushime.
E emocionon rikthimi në ambientet e Radio Shkodrës sepse i sjell ndërmend këngën shkodrane që e konsideron gjithnjë si shoqëruesen e jetës së saj.
Ishte vetëm 14 vjeçe kur do të këndonte në skenë përkrah të madhit Bik Ndoja.
Edhe pse jeton larg, një sy e vesh e ka gjithmonë nga ngjarjet kulturore në Shkodrën e saj dhe rikthimi i Orkestrës Simfonike ishte një nga më të bukurat për të, teksa kujton se në vitet ’80 ishte pjesë e Filarmonisë së qytetit si soliste dhe koriste.
Teksa komunikon me artisten Kuqani, e kupton lehtësisht se Shkodra është pjesë e vazhdueshme e jetës së saj, një qytet që aq shumë i ka kënduar ndër vite.
