Kënga shkodrane i mblodhi bashkë edhe njëherë artistët e qytetit dhe përtej ndërsa koncerti “Kujto për mos me harru”, i zhvilluar në teatrin “Migjeni” me praninë e gjerë të publikut ishte një homazh për kultivuesit e muzikës shkodrane, kompozitorët Paulin Pali dhe Hasan Preza, autorë të shumë këngëve të njohura të Shkodrës.

Nën moderimin e aktores së shquar të humorit Drande Xhaj dhe prezantueses së spikatur Linda Kavaja, pjesë e këtij koncerti ishin Mjeshtrat e Mëdhenj si: Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Mukades Çanga, Gëzim Salaj si dhe “Nderi i Kombit” dhe njëkohësisht organizatori i kësaj nate Bujar Qamili, shoqëruar edhe nga disa prej artistëve më të spikatur shkodranë e deri tek më e reja Ea Zoga.

Përveç emocioneve të bukura që artistët morën nga ky koncert, në përfundim të tij disa prej tyre shprehen se është e rëndësishme të kujtohen kontribues të tillë të këngës shkodrane me qëllim ruajtjen e identitetit të saj.

Koncerti u përshëndet edhe nga familjarët e dy kultivuesve të këngës shkodrane Paulin Pali dhe Hasan Preza përmes një materiali filmik ndërsa disa prej tyre ishin të pranishëm edhe në sallë.

Këngëtarja shkodrane Myfarete Laze ishte ajo që mbylli këtë koncert teksa së bashku me të gjithë artistët e tjerë pjesëmarrës kënduan këngën “Ti më je si një gonxhe”.