Ai u rikthye edhe njëherë tjetër në skenë, por jo si dikur përmes roleve të shumta që jemi mësuar ta shohim në kinematografinë shqiptare por me rolin e jetës, atë të Rikardit nga lindja tek përcjellja dhe këtë e bëri Mjeshtri i Madh, regjisori dhe Artisti i Merituar Mevlan Shanaj në dokumentarin “Rikard, përcjellja e fundit”, realizuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, ku pas Tiranës, ndaloi edhe në Shkodër.

Puna për realizimin e këtij dokumentari ka nisur përpara tre vitesh për regjisorin Mevlan Shanaj dhe nuk ka qenë një mision i lehtë ndërsa emocionet në të janë aq të fuqishme sa në 54 vite karrierë si person publik kurrë nuk kishte përjetuar një çast drithërues si ai i rrëfimit të Leos, djalit të Rikardit.

E ka parë disa herë se i duket sikur çmallet me të por sërish bashkëshortes së tij, aktores së mirënjohur Marjeta Ljarja ky dokumentar i shkakton emocione që burojnë sa nga Rikardi aq edhe nga Shkodra.

Vërtetë pjesën më të madhe të karrierës së tij, Rikard Ljarja e pati në Tiranë por lidhjet shpirtërore dhe fizike me Shkodrën i kishte të pandërprera dhe qyteti i tij nuk e zhgënjeu as kësaj here ku familjarë, miq dhe kolegë, të njohur e të panjohur kishin ardhur për të parë këtë dokumentar në kinema “Millennium”.

Ky dokumentar është i veçantë sepse ai e trajton figurën e Rikardit jo vetëm në prizmin profesional por edhe në dimensionin e tij human, cilësi këto që i zotëronte dhe e bënin atë të ishte unikal në llojin e tij.

Për të motrën e tij Ernestën, Rikardi vazhdon të mbetet aty prezent…

Skenaristja e dokumentarit Natasha Lako tregohet modeste sa i përket realizimit duke mos lënë pa falenderuar familjarët dhe miqtë e Rikardit që e rikujtuan atë përmes rrëfimeve të tyre ndërsa ndan edhe momentin që e bën të përlotet sa herë shikon këtë material.

Në dokumentarin e regjisorit Mevlan Shanaj për kolegun dhe mikun e tij Rikard Ljarja i gjen të gjitha duke nisur nga peisazhet, histori ngjarjesh, epokë, personazhe të skalitur që të gjitha bashkë përbëjnë jetën e Rikardit…