Një natë e gjatë dhe historike, madhështore aq sa edhe emocionuese ishte paraqitja e Orkestrës Simfonike të Shkodrës nën dirigjimin e Maestro Jetmir Barbullushit në koncertin e saj të parë pas shumë vitesh në teatrin “Migjeni” para spektatorëve shkodranë.

E gjitha nisi me Suitën e Çesk Zadejës nga filmi “Skënderbeu” për të vazhduar më pas me ekzekutimin e disa materialeve muzikore të kompozitorëve shkodranë si: Prenkë Jakova, Tish Daija, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani, Lec Kurti e shumë të tjerë, disa prej të cilave premierë absolute botërore.

Formacioni prej 51 instrumentistësh u shoqërua nga vokalet e emrave të njohur si Marjana Leka, Adelina Paloja, Armando Likaj apo instrumentistëve Lorenc Radovani, Amir Xhakoviq, Odesa Meti etj.

Pas përfundimit, disa nga personalitetet e muzikës vlerësojnë këtë prezantim dinjitoz të Orkestrës Simfonike të Shkodrës.

Ky koncert është filmuar i plotë nga RTSH Shkodra dhe do të përcillet në ditët në vijim për shikuesit e rrjetit të RTSH. Formimi i Orkestrës Simfonike të Shkodrës plotëson në këtë mënyrë Filarmoninë e qytetit ndërsa koncerti i saj i radhës do të jetë muajin e ardhshëm.